Ministri i Punëve të Jashtme dhe i Tregtisë së Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Timço Mucunski tha se “Stabiliteti ynë është stabilitet evropian, progresi ynë është progres evropian”, transmeton Anadolu.
Mucunski, me ftesë të kryediplomates sllovene, Tanja Fajon, mori pjesë dhe mbajti një fjalim në mëngjesin e punës me Ministrat e Punëve të Jashtme të Ballkanit Perëndimor dhe të dërguarit special për zgjerimin e Bashkimit Evropian (BE).
Në fjalimin e tij, Mucunski theksoi rolin kyç të stabilitetit rajonal dhe integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE, duke vlerësuar se krizat aktuale globale rrisin më tej nevojën për kohezion evropian.
“Në një botë luftërash, kërcënimesh sigurie dhe tronditjesh ekonomike, Bashkimi Evropian dhe Ballkani Perëndimor kanë nevojë për njëri-tjetrin më shumë se kurrë më parë. Stabiliteti ynë është stabilitet evropian. Progresi ynë është progres evropian”, theksoi ministri në fjalimin e tij.
Ai tregoi se Maqedonia e Veriut mbetet e përkushtuar në rrugën evropiane dhe po punon aktivisht për reformat dhe zbatimin e Planit të Rritjes së BE-së ndërsa shtoi se procesi i zgjerimit duhet të bazohet në meritë dhe kritere të qarta.
“Zgjerimi nuk duhet të mbahet peng i mosmarrëveshjeve dypalëshe ose çështjeve të identitetit. Nëse kjo lejohet, rrezikojmë jo vetëm ngecjen e një vendi, por edhe të humbasim besueshmërinë e të gjithë procesit”, tha Mucunski.
Duke vepruar kështu, ai theksoi rëndësinë e bashkëpunimit rajonal dhe përshëndeti rolin e të dërguarve specialë të BE-së, duke vlerësuar se angazhimi i tyre është thelbësor për ruajtjen e vëmendjes ndaj rajonit dhe inkurajimin e zgjidhjeve praktike.
“Ne besojmë në dialog, ne besojmë në kompromis kur është i drejtë dhe i ndërsjellë, dhe mbi të gjitha, ne besojmë në vizionin e një Evrope të bashkuar, të qëndrueshme dhe të begattë me Ballkanin Perëndimor në thelbin e saj”, përfundoi Mucunski.