Nesër përpjekje tjetër për të zgjedhur kryeparlamentarin, kush do të jetë i propozuari i Vetëvendosjes?

2 Min. Leximi

Kuvendi i Kosovës do të mblidhet sërish nesër për të vazhduar seancën konstituive, në përpjekje për të zgjedhur kryetarin e ri dhe nënkryetarët.

Vazhdimi i kësaj seance vjen pas dështimit për të zgjedhur kryeparlamentarin të premten, ku Lëvizja Vetëvendosje ndryshoi sërish kandidatin për këtë pozitë, duke e propozuar Ministrin në detyrë të Financave, njëherit deputetin Hekuran Murati. Propozimi u bë pavarësisht se VV e dinte se partitë tjera nuk do të votonin për Muratin, meqë ishin shprehur qartë se nuk votojnë asnjë emër që ka qenë pjesë e ekzekutivit, shkruan gazeta online Reporteri.net.

- Advertisement -

Për dallim nga herët e kaluara ku propozimi bëhej nga nënkryetari i VV-së, Glauk Konjufca, Murati u propozua nga deputetja Donika Gërvalla, e cila vetë dështoi të merrte votat e nevojshme për këtë pozitë në seancën e së mërkurës.

- Advertisement -

Nga 115 deputetë të pranishëm në sallë, për Muratin votuan 57 deputetë, 52 ishin kundër, ndërsa gjashtë abstenuan.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, pas seancës, është pyetur nga gazetarët se kë do ta propozojnë për kryetar të Kuvendit të dielën.

Kurti duke qeshur tha ‘’e merrni vesh të dielën’’.

Qëkur ka nisur seanca konstituive më 15 prill, deputetët kanë mbajtur edhe 54 vazhdime deri më 26 korrik, por kanë dështuar ta përmbyllin atë me zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit.

Sipas vendimit të fundit të Kushtetueses, votimi për kryeparlamentarin duhet të jetë i hapur, ndërsa i njëjti propozim për këtë post nuk mund të bëhet më shumë se tri herë./Reporteri.net/

TOP Lajmet

ETIKETUAR:
Ndani këtë artikull