VLEN: Nepotizmi i Taravarit s’ka fund, kur Jeton Shaqiri ia punësoi gruan, shteti u bë bankomat familjar!

4 Min. Leximi

Hipokrizia politike e Grupit të Taravarit nuk ka fund. Ata që e kanë kthyer nepotizmin në sport familjar, sot guxojnë të akuzojnë VLEN-in. Por faktet janë kokëforta dhe dokumentet flasin vetë.
Ish drejtori aktual i Klinikës së Neurologjisë, Fatmir Mexhiti, në të njëjtën kohë që ishte në krye të këtij institucioni publik, merrte edhe honorar nga Ministria e Shëndetësisë, institucion që e kishte emëruar me një pagesë mujore prej 60 mijë denarësh, për punë të paqartë dhe të padefinuar. Kontrata është nënshkruar menjëherë pasi ministër i Shëndetësisë u bë Arben Taravari, mik personal i Mexhitit. Pra, ndërkohë që qytetarët nuk kishin shërbime cilësore në spitale, drejtori i Taravarit paguhej dyfish për dy punë në të njëjtën kohë.
Por historia nuk përfundon këtu: Mexhitit ia kanë rehatuar edhe motrën edhe krejt dhëndurët me nga 2–3 rroga secilit. E kur aktivistët e sinqertë janë ankuar për këtë, përgjigjja e tij ka qenë cinike: “Ama këta e ndajnë rrogën, nuk i mbajnë krejta për vete!”.
Po kush flet për nepotizëm? Pikërisht Arben Taravari, i cili në Gostivar e ka kthyer komunën në biznes privat të shokëve të klasës. Sot gjithë struktura lokale e ASH-së është ngritur në këmbë kundër tij për shkak të favorizimit të hapur të Halil Snopçes dhe bashkëshortes së tij, Aslian Snopçe, njëri deputet, tjetra drejtuese sektori në komunë. Qytetarët me të drejtë pyesin: A është Komuna e Gostivarit pronë e Taravarit dhe shokëve të tij, apo e qytetarëve?
Hipokrizia nuk mbaron këtu. Valbona Osmani, gruaja e ish-kryediplomatit Bujar Osmani, është punësuar në Agjencinë për Komunikime Elektronike. Pra, edhe BDI dhe aleatët e rinj të Taravarit kanë ndarë tortën e shtetit me familje.
Dhe për ta bërë edhe më të qartë natyrën e kësaj politike hipokrite, kujtojmë frazën e famshme të Taravarit: “Jeton Shaqiri është djalë i mirë”. Pse djalë i mirë? Sepse derisa ishte ministër i Arsimit, ia punësoi gruan Taravarit në Ministri! Ky është modeli i tyre: shokët, gratë, nipat, dhëndrit, të gjithë në shtet.
Nëse flasim për “nepotizëm” dhe “kapje të shtetit”, atëherë rekordisti mbetet pikërisht BDI dhe partnerët e saj të sotëm në grupin e Taravarit. Kujtojmë se Blerim Bexheti, përmes Qytetit të Shkupit i kishte dhënë tender prej 12 mijë eurosh djalit të tij për “shërbime intelektuale”, një aferë që për nga përmasat dhe brutaliteti i abuzimit e tejkalon çdo rast tjetër të ngjashëm. Ky është shembulli më i qartë se si këta persona e trajtojnë: si një bankomat familjar.
Prandaj, kur nga Grupi i Taravarit flasin për nepotizëm, qytetarët tashmë qeshin. Sepse ata që kanë ndërtuar karrierë duke shpërndarë poste për miq e familjarë, sot nuk kanë kredibilitet të flasin për këtë temë. Andaj, ditëve në vijim do të shpalosim të gjitha punësimet familjare të grupit të Taravarit dhe partnerëve të tyre.
VLEN është koalicioni që po e pastron shtetin nga hipokrizia, nga nepotizmi dhe nga abuzimi. Ne kemi mision të qartë: t’i kthejmë institucionet qytetarëve dhe jo klaneve familjare. Tetori do të ketë fitues. Fituesi është VLEN.

TOP Lajmet

Ndani këtë artikull