Zëvendëskryeministri i parë i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut dhe njëherit kandidat për kryetar të komunës së Çairit, Izet Mexhiti, ka zhvilluar një takim me banorët e lagjes Serovë, në konakun e agës Galiq.
“Pasditen e kaluam në Serovë, në konakun e agës Galiq, një vend që të bën të ndihesh si në shtëpi sapo kalon pragun. Banorët na pritën me zemër të hapur dhe çaj të ngrohtë, që e bënë bisedën tonë edhe më të afërt,” ka shkruar Mexhiti.
Ai ka theksuar rëndësinë e dëgjimit të qytetarëve dhe afërsisë me ta:
“Më rrëfyen sfidat e përditshme, më ndanë këresat për lagjen dhe idetë që presin të realizohen. I dëgjova me kujdes dhe me respekt, sepse kështu e kuptoj unë shërbimin publik: t’i dëgjosh njerëzit, t’i respektosh, dhe t’u qëndrosh pranë. E theksova qartë: dera ime do të jetë gjithmonë e hapur, për çdo fjalë që duhet dëgjuar, për çdo dorë që kërkon mbështetje.”
Në fund, Mexhiti premtoi zhvillim të mëtejshëm të lagjes:
“U premtova me bindje se Serova do të zhvillohet edhe më shumë, me hapa të shpejtë dhe me përkushtim të plotë. Jemi këtu për ta bërë Çairin më të mirë. Hap pas hapi. Së bashku.”