Mustafa Ademi thumbon BDI-në: Kur ishte koha të flisnit, heshtët

2 Min. Leximi

Ngjarja e mbrëmshme në Kumanovë, gjatë ndeshjes së basketbollit mes Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë, ku u dëgjuan thirrje antishqiptare dhe raciste nga tribuna, ka nxitur reagime të ashpra në opinionin publik.

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka reaguar me “indinjatë dhe revoltë të thellë” ndaj asaj që e cilëson si “ngjarje skandaloze” dhe “manifestim të nacionalizmit primitiv”.

- Advertisement -

Në kumtesën e partisë theksohet se në prani të funksionarëve më të lartë shtetëror u dëgjuan thirrje raciste.
Por reagimi i BDI-së është shoqëruar edhe me kritika për selektivitet dhe memorie të shkurtër institucionale. Redaktori i sportit në RTVM-2, Mustafa Ademi, ka rikujtuar disa episode të ngjashme nga e kaluara që sipas tij kanë kaluar pa asnjë reagim të tillë.

“Në vitin 2012 në Nish, në kampionatin evropian, ishin vetë hendbollistët e reprezentacionit që këndonin këngë ofenduese ndaj shqiptarëve jo tifozët. Ku ishin institucionet atëherë?”, shkruan Ademi në rrjetet sociale.

Ai përmendi edhe rastin e vitit 2019 në manifestimin e sportistit të vitit, ku u shfaq skandali i njohur si “lojtari me numër pesë”, si dhe dhjetëra skandale të tjera që nuk u ndaluan, nuk u hetuan dhe as u dënuan.

“E ju sot po reagoni, ndërsa dikur ose keni heshtur, ose s’keni parandaluar, s’keni as tentuar me parandalu!”, përfundon Ademi.

- Advertisement -

Reagime pas incidentit kanë dhënë edhe dy zëvendëskryeministrat shqiptarë, Izet Mexhiti dhe Arben Fetai, të cilët dënuan ngjarjen dhe u bënë thirrje tifozëve, autoriteteve sportive dhe institucioneve kompetente që të ndërmarrin masa të vendosura për të çrrënjosur gjuhën e urrejtjes në sport.

TOP Lajmet

ETIKETUAR:
Ndani këtë artikull