Partitë politike duhet të jenë të sinqertë në prezantimin e të dhënave të anketave. Ekspertët e mendimit publik porosisin që partitë politike nuk duhet t’i problematizojnë të dhënat e anketave që i porosisin, kur nga të njejtat nuk i marrin rezultatet që i presin. Njohës të kësaj fushe, ekspertë të shquar dhe me përvojë, për Portalb.mk kanë analizuar rëndësinë e opinionit publik mbi punën dhe rëndësinë partive politike, ku kanë dhënë rekomandime dhe udhëzime, se si të bëhen anketa kredibile dhe si të lexohen në mënyrë korrekte.
Si duhet të kryhen sondazhet e vlerësimit të partive (metodologjia) që të jenë më të besueshme dhe bindëse?
Bojana Naumovska, profesoreshë universitare nga Instituti për Hulumtimet Sociologjike dhe Politike-Juridike në një prononcim për Portalb.mktheksoi faktorët që ndikojnë në besueshmërinë e një sondazhi.
Për të fituar në kredibilitet një sondazh, siç potencoi profesoresha Naumovska është me rëndësi: krijimi i një mostre të përshtatshme, për të cilën të dhënat e sakta të regjistrimit janë një parakusht; përcaktimi i saktë i grupit të synuar; krijimi i pyetjeve të qarta dhe të padiskutueshme; mënyra e kryerjes së anketës; etika në procesin e kryerjes së sondazhit; integriteti dhe besimi që qytetarët kanë në institucionin/kompaninë që kryen sondazhin.

“Për të qenë më specifik, kur flasim për sondazhe që lidhen me zgjedhjet, qofshin lokale apo nacionale, përcaktimi i mostrës është me rëndësi të madhe, sepse asnjë sondazh nuk mund të mbulojë të gjitha zonat e populluara. Kjo do të thotë se duhet të tregohet shumë kujdes gjatë përcaktimit të mostrës nëse doni të zbuloni mendimin e të gjithë publikut. Nëse sondazhi porositet nga një parti specifike që është më e interesuar të dijë mendimin e votuesve të saj, atëherë hulumtimi mund të drejtohet në zona të populluara ku ka një përqendrim të votuesve të saj, por në asnjë moment këto të dhëna nuk duhet të paraqiten si mendime të të gjithë publikut”, tha Naumovska.
Sipas Naumovskës, metoda e kryerjes së sondazhit është gjithashtu me rëndësi të madhe.
“Kjo është arsyeja pse ne, si një institucion kërkimor me një traditë 60-vjeçare, praktikojmë anketime në terren, sepse në këtë mënyrë të mbledhjes së të dhënave, besimi i të anketuarve në proces është më i madh, gjë që rrit gjasat për të dhënë përgjigje të sakta” theksoi profesoresha.
Sipas ekspertes Ilina Mangova, rekomandimi, kur kryhen anketa që matin rejtingjet e partive në nivel nacional ose komunal është që së pari të kryhet anketa përmes një agjencie profesionale kërkimore dhe të kryhet ballë për ballë (në terren) ose me telefon në një mostër përfaqësuese të qytetarëve të rritur në mënyrë të rastësishme.
“Kjo do të thotë që një numër i përshtatshëm familjesh, adresash nga të gjitha rajonet gjeografike do të planifikohet të përfshihen në mostrën që do të anketohet sipas të dhënave nga regjistrimi i fundit në vendin që anketohet. Tutje, me metoda të tjera, për shembull “kush në familje ka pasur ditëlindjen e fundit” ose “tavolina e kishit”, do të zgjidhet rastësisht se cilat nga familjet do të anketohen. Në këtë mënyrë, përfaqësimi i popullsisë sigurohet nga gjinia, mosha dhe arsimi”, sqaroi për Portalb.mk Mangova.
A dëshirojnë vetë partitë politike matje objektive të opinionit publik?
Profesoresha Naumovska, mendon që partitë politike duhet të bëjnë matje objektive, por thekson që matjet e opinionit publik nuk praktikohen vetëm para zgjedhjeve dhe nuk përqendrohen vetëm në çështjet që lidhen me vendimin për të votuar.
“Matje më të shpeshta duhet të praktikohen edhe në lidhje me politikat qeveritare dhe kënaqësinë e qytetarëve me to, por veçanërisht në lidhje me qëllime të caktuara strategjike të qeverisë. Ajo që na mungon më shumë është hartimi i politikave të bazuara në të dhëna, jo vetëm matja e kënaqësisë me politikat e krijuara tashmë. Për të përmbledhur, partitë duhet të jenë gjithmonë të gatshme dhe të hapura ndaj të dhënave reale, vetëm në këtë mënyrë ato mund të bëhen më të mira në të ardhmen, dhe nëse do të duan ta ndajnë këtë njohuri me publikun është një pyetje tjetër”, theksoi Naumovska.

Ekspertja Mangova, nisur nga përvoja me matjen e opinionit publik, tha se partitë politike duhet të kenë një matje objektive të opinionit publik në mënyrë që të dinë se si i perceptojnë qytetarët ato gjatë periudhës kur kryhet hulumtimi, si e vlerësojnë qytetarët atë që po bëjnë dhe çfarë duhet të përmirësojnë për të fituar besimin e qytetarëve.
Por, që, siç potencoi ekspertja, fatkeqësisht, shpesh kur vlerësimi nuk është ai që duan, partitë kanë tendencë të problematizojnë rezultatet, në vend që të përqendrohen në atë që duhet të përmirësohet.
“Vlerësimi është rezultat i disa faktorëve në lidhje me mënyrën se si sillen përfaqësuesit e partisë dhe sjellin rezultate kur janë në pushtet (dhe madje edhe në opozitë), por edhe si është situata në vend dhe më gjerë. Çdo parti duhet të investojë shumë në ndërtimin e besueshmërisë së saj përmes përfaqësuesve që ka në qeveri, komunë, parlament dhe institucione të tjera”, porositi Mangova.
Së fundmi në opinion janë shpërndarë dy anketa nga kompani të ndryshme në lidhje me rejtingun e partive politike. Dhe që të dy rezultatet janë interpretuar ashtu si kanë dashur partitë. Eksponentë të BDI-së opozitare dhe faqeve në rrjete sociale të afërta me partinë kanë shpërndarë anketën e MKD.mk, ku favorizohej partia e tyre në raport me partitë tjera shqiptare, ndërkaq koalicioni shqiptar partner i VMRO-DPMNE-së në pushtet, VLEN dhe eksponentë të tyre ndanin një anketë të UBO Consulting, me rezultate të cilat ishin në favor të VLEN-it
Në Republikën e Maqedonisë së Veriut edhe më herët ka pasur raste kur partitë kanë interpretuar sipas dëshirave të tyre rezultatet e instituteve të cilat hulumtojnë opinionin publik.
Në janar të këtij viti (2025), Instituti për Hulumtimet Sociologjike dhe Politike-Juridike pati demantuar pohimet e partisë politike Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), e cila në rrjetet sociale ishte lavdëruar me rezultatet nga sondazhi i fundit i IHSPJ-së se kanë mbështetje dyfish më të madhe nga të gjithë partitë e tjera etnike shqiptare së bashku, por megjithatë, nuk janë në qeveri.
Si rrjedhojë, Portalb.mk me njohësit e fushës shtroi edhe pyetjen se vallë humbet besueshmëria e matjes së opinionit publik në lidhje me partitë politike dhe politikën nëse sondazhet keqpërdoren për qëllime partiake?
Nga këndvështrimi i profesoreshës Naumovska, në Maqedoni mungon njohuria e mjaftueshme për të lexuar të dhëna dhe ky moment mund të shfrytëzohet: së pari nga institucioni/kompania që kryen sondazhin (duke i paraqitur të dhënat në mënyrë joetike), së dyti nga mënyra se si media i paraqet të dhënat dhe së treti nga vetë partitë.
“Unë shoh rolin kyç në institucionin që kryen sondazhin. Si institucion, jemi përballur me prezantim dhe interpretim jo korrekt të të dhënave tona nga një parti politike, por pas reagimit tonë publik, ajo parti u tërhoq. Sigurisht, partitë i përdorin të dhënat, ata të cilët kanë rejting më të lartë e përdorin këtë moment për të mobilizuar më tej anëtarësinë e tyre, por edhe për të tërhequr disa nga të pavendosurit. Në thelb, nga një sondazh i kryer në mënyrë të papërshtatshme, ku një parti favorizohet dhe ku të dhënat paraqiten jashtë parimeve etike të kërkimit, kompania/institucioni që kryen sondazhin humbet më shumë dhe pikërisht për këtë arsye kemi subjekte të tilla që shfaqen dhe zhduken”, tha Naumovska.
Mangova thotë se megjithatë, matja e opinionit publik është një mënyrë themelore për të dëgjuar mendimet, qëndrimet, kënaqësinë dhe vlerësimet e qytetarëve për situatën në vend, si dhe më gjerë, duke përdorur një metodë shkencore dhe përfaqësuese.
“Funksioni i institucioneve dhe partive është t’u shërbejnë qytetarëve dhe ato duhet të jenë në bashkëpunim me qytetarët dhe përdoruesit e shërbimeve të tyre në mënyrë që t’u përgjigjen nevojave të tyre dhe të vlerësojnë nëse ato i përmbushin pritjet e tyre. Ashtu si me të gjitha informacionet e tjera që plasohen përmes mediave dhe në hapësirën e internetit, është detyrë e medias dhe audiencës të vlerësojnë në mënyrë kritike informacionin e kësaj natyre” u përgjigj ekspertja Mangova.
Kujtojmë se, kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi ka njoftuar se zgjedhjet lokale pritet të shpallen në gjysmën e parë të muajit gusht. Të njëjtat pritet të mbahen në tetor 2025. Të qarta janë datat, por jo edhe rregullat sa i përket ndryshimeve të Kodit Zgjedhor për të cilat partitë politike janë bërë lëmsh sepse duhet të votohen me shumicë Badinteri. Propozim-ligjin e parë ua rrëzoi Gjykata Kushtetuese.
Aktualisht ndryshimet e Kodit Zgjedhor ndodhen në lexim të dytë në Kuvendin e RMV-së.
Në opinion tashmë ka nisur edhe shpallja e kandidaturave për zgjedhjet lokale.