Kina tejkalon pritshmëritë: Ekonomia rritet me 5.2% në tremujorin e dytë

3 Min. Leximi

Ekonomia e Kinës ka shënuar rritje më të lartë se sa pritej në tremujorin e dytë të vitit 2025, pavarësisht sfidave serioze si tensionet tregtare me SHBA-në dhe krizës së vazhdueshme në sektorin e pasurive të paluajtshme.

Sipas të dhënave të publikuara nga Zyra Kombëtare e Statistikave e Kinës, bruto produkti vendor (BPV) i vendit është rritur me 5.2 për qind në periudhën prill–qershor, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Kjo rritje ishte pak më e lartë se parashikimi i ekonomistëve, i cili ishte 5.1 për qind, por më e ulët se ritmi prej 5.4 për qind i shënuar në tremujorin paraprak.

- Advertisement -

Në deklaratën zyrtare, autoritetet kineze theksuan se ekonomia “ka përballuar presionin dhe ka përparuar me qëndrueshmëri, pavarësisht sfidave të shumta të brendshme dhe të jashtme”.

Prodhimi industrial është rritur me 6.8% në muajin qershor, i mbështetur kryesisht nga sektori i teknologjisë së lartë. Shitjet me pakicë, një tregues i konsumit të brendshëm, u rritën me 4.8%, por mbetën nën pritshmëritë dhe në rënie krahasuar me muajt e mëparshëm.

Investimet në pasuri të paluajtshme ranë me 11.2% gjatë gjysmës së parë të vitit, duke reflektuar vazhdimësinë e krizës në këtë sektor.

Sipas analistëve, ekonomia kineze ka arritur të shmangë një rënie më të thellë falë masave të kujdesshme fiskale dhe mbështetjes nga eksportet, por sfidat mbeten serioze. Kërkesa e brendshme është ende e dobët, çmimet në tregun e ndërtimit vazhdojnë të bien dhe presioni deflacionist po rritet.

- Advertisement -

Ekspertët paralajmërojnë se rritja ekonomike mund të ngadalësohet gjatë gjysmës së dytë të vitit, nëse qeveria nuk ndërmerr masa shtesë për stimulim të konsumit dhe stabilizim të sektorit të patundshmërive. Deri më tani, autoritetet kineze kanë shmangur nisma të mëdha stimuluese, duke preferuar qasje të kujdesshme për të mos rritur më tej borxhin publik.

Ndërkohë, tensionet tregtare me Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të jenë një rrezik i madh për ekonominë kineze. Tarifat e vendosura nga administrata amerikane dhe paralajmërimet për masa të reja mund të ndikojnë ndjeshëm në performancën e eksporteve në muajt në vijim.

TOP Lajmet

ETIKETUAR:
Ndani këtë artikull