Lideri i Alternativës dhe njëri prej liderëve të VLEN, Zeqirija Ibrahimi gjatë raportimit një vit qeverisje VLEN ka përmendur të arriturat e kësaj qeverie. Në mesin e tyre ka përmendur edhe gjimnazin “Sami Frashri” në Kumanovë, kampusin universitar “Nënë Tereza” në Shkup, shkollën në Cashkë, si dhe shkollën në Nerovë e cila nuk do të rrënohet.
“ Ideja për universitet shqiptar në Shkup ka qenë e vjetër, por takati i atyre që kanë qenë para nesh ka qenë deri te ndonjë qendër tregtare ose ndonjë lokal kazinoje, andaj nuk kanë mundur të mbajnë më shumë. Por, Qeveria jonë ka vendosur që të ndajë më shumë se 34 milionë euro për ndërtimin e kampusit universitar “Nëna Terezë” në Shkup, një fond që do të shfrytëzohet në bazë të punimeve që do të realizohen aty, por që në fund Shkupit do t’i dhurojmë një qendër universitare shqiptare me të gjitha nishanet që i ka një institucion dinjitoz i arsimit të lartë.
E derisa jemi te arsimi, më duhet t’ju them se pasi që ne – me pushtet lokal – e inicuam dhe ia dolëm ta fillojmë punën e gjimnazit “Sami Frashëri” në Kumanovë, vetëm këtë vit janë edhe 2 milionë euro për vazhdimin e punimeve dhe aty punët po shkojnë në mënyrën më të mirë. Unë jam shumë i bindur se në shtatorin e vitit tjetër Sami Frashëri në Kumanove nuk do të jetë vetëm emri i rilindësit më të shquar shqiptar, por edhe emri i gjimnazit të përfunduar në mënyrën më të bukur në Kumanovën tonë.
Ka qenë një shkollë që as i a.q. kryeministri shqiptar nuk arriti ta bëjë – shkolla në Çashkë. Tashmë ajo nuk përmendet dhe për këtë dua ta përgëzoj zëvendësministrin e Arsimit dhe Shkencës. Në heshtje, pa zhurmë e pa bujë, por kjo çështje është tejkaluar dhe arsimin shqip në atë zonë e kemi të garantuar. Nga shtatori aty do të punësohet edhe një mësues bile.
Megjithatë, dje kishim një situatë komike. Pas punës që kanë bërë zëvendësministri i Arsimit, prof. Lulzim Aliu, zëvendësministrja e Transportit, zonja Kaltrina Zekolli, dhe veçmas Avokati i Shtetit, z. Bekim Emini, që objekti i shkollës së Nerovës të kalojë në pronë shtetërore dhe të legalizohet e vazhdojë mësimi aty, dolën disa aktivistë të opozitës së mërzitur shqiptare, duke u mburrur se ata janë meritorë. Veç që nuk treguan se cilën pjesë të punës e kanë bërë ata. Së paku ta dimë për çka t’u duartrokasim. Sidoqoftë, shkolla në Nerovë le që nuk do të rrënohet, por ajo do të jetë një vatër që do t’i mbajë dhe edukojë të rinjtë shqiptarë në atë zonë. Le ta gëzojnë nxënësit, ndërsa le të mburret kush të dojë. Fundja, me rëndësi është shkolla, jo mburrja”, nënvizoi Ibrahimi.