Analisti Emir Kurtishi ka komentuar rëndësinë kushtetuese të përfaqësimit adekuat dhe të drejtë në institucionet publike, duke theksuar se kjo vlerë e përcaktuar në nenin 8 të Kushtetutës së Maqedonisë së Veriut nuk është zbatuar asnjëherë përmes një akti juridik të përgjithshëm, siç është ligji.
Ai rikujton se pas Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, me amendamentin VI të Kushtetutës, është bërë plotësimi i nenit 8 me dispozitën që garanton të drejtën për “të shprehurit e lirë të përkatësisë kombëtare dhe përfaqësimin adekuat dhe të drejtë të qytetarëve nga të gjitha komunitetet në organet e pushtetit shtetëror dhe institucionet publike në të gjitha nivelet”.
Megjithatë, sipas Kurtishit, kjo ka mbetur vetëm në nivel deklarativ. “Balancuesi”, si mekanizëm i ndërtuar për të jetësuar këtë parim, nuk ka pasur kurrë forcën e një ligji apo akti nënligjor dhe për këtë arsye ka dështuar të funksionojë si mjet real për garantimin e barazisë në punësim dhe përfaqësim. Ai e përshkruan këtë mekanizëm si “as mish, as peshk”, që në zhargonin juridik mbetet një “trup i huaj” jashtë hierarkisë kushtetuese dhe ligjore.
Sipas tij, vetëm një Ligj për Përfaqësim Adekuat dhe të Drejt mund të vendosë standarde të matshme dhe adresë konkrete përgjegjësie për transparencën, llogaridhënien dhe avancimin në vendet e punës, duke siguruar kështu përfshirje dhe kohezion social.
“Rastet e shkeljeve të Balancuesit, përfshirë edhe ndryshimet e përkatësisë etnike për interesa punësimi, janë lënë në harresë. Asnjëherë nuk është marrë përgjegjësi. Ligji është mënyra e vetme për të ndrequr këto padrejtësi”, thekson Kurtishi.