Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka kritikuar ashpër ish-aleatin e ngushtë, Elon Musk për planin e tij për të krijuar një parti të re politike.
“Mendoj se është qesharake të krijosh një parti të tretë”, ka thënë Trump, duke folur me gazetarët të dielën para se të hipte në Air Force One.
“Gjithmonë ka qenë një sistem dypartiak dhe mendoj se krijimi i një partie të tretë vetëm sa e shton konfuzionin”, ka shtuar Trumpi, raporton BBC.
Pasi e ka nxitur idenë për javë të tëra, Musku ka shkruar në X gjatë fundjavës se kishte krijuar ‘Partinë Amerikane” për të sfiduar partitë Republikane dhe Demokratike.
Trumpi dhe Musku më parë ishin aleatë të ngushtë, teksa shefi i Teslas drejtonte Departamentin e Efikasitetit të Qeverisë (Doge), i cili ka për detyrë të ndihmojë në uljen e shpenzimeve federale.
Musku ka kritikuar vazhdimisht politikat qeveritare që rrisin borxhin kombëtar të SHBA-së.
Të dielën, ai ka thënë se ndërsa partia e re mund të mbështesë një kandidat presidencial në një moment, “fokusi për 12 muajt e ardhshëm është në Dhomën e Përfaqësuesve dhe Senatin”.
Ndërkaq Trumpi ka shkruar në platformën e tij “Truth Social” të dielën se është i trishtuar të shohë Elon Muskun “të dalë plotësisht nga shinat”.
Plani i taksave dhe shpenzimeve i presidentit, të cilin ai e nënshkroi në ligj më 4 korrik, u ka dhënë fund lehtësirave tatimore për automjetet elektrike.
Legjislacioni përfshin rritje të shpenzimeve për sigurinë kufitare, mbrojtjen dhe prodhimin e energjisë, të cilat parashihet të kompensohen nga shkurtimet e diskutueshme në programet e kujdesit shëndetësor dhe mbështetjes ushqimore.