Vendimet e fundit të Ali Ahmetit për ndarjen e komunave në kuadër të koalicionit për zgjedhjet lokale kanë shkaktuar pakënaqësi dhe revoltë të thellë brenda Bashkimit Demokratik për Integrim. Të zhgënjyer ndihen veçanërisht figurat e “Grupit të Zjarrit”, të cilët dikur ishin shtylla të partisë dhe kontribuues të palodhur në zgjedhje e vendimmarrje.
Pasi i përdori për të ruajtur pushtetin në periudha krizash të brendshme, Ali Ahmeti tani i ka lënë në hije Blerim Bexhetin dhe Musa Xhaferin, duke mos ua besuar më komunat ku ata kanë ndikim real dhe historik.
Në vend të tyre, Ahmeti po ua dorëzon komunat më të rëndësishme partnerëve të rinj nga krahu i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravarit dhe Ziadin Selës. Në Strugë është paralajmëruar kandidatura e vetë Ziadin Selës, në Gostivar pritet të kandidojë Taravari, ndërsa surpriza më e madhe është Saraji komunë ku për dekada me radhë kishte dominim të pakontestueshëm Blerim Bexheti i cili tashmë po i dhurohet një partie që mezi i ka 300 vota në këtë zonë. Kandidatura aty është rezervuar për Blerant Ramadanin.
Strukturat lokale të Grupit të Zjarrit dhe të vjetra të BDI-së ndihen të përbuzura dhe të tradhtuara.
Burime të brendshme flasin për një valë pakënaqësish dhe mosbesimi ndaj udhëheqjes aktuale, e cila, në vend se të shpërblejë besnikërinë dhe kontributin, po ndan pushtetin me ish-kundërshtarët politikë për interesa momentale.
Revolta është gjithnjë e më e zëshme, dhe me këtë ritëm, BDI rrezikon jo vetëm të humbasë bastionet, por edhe të shpërbëhet nga brenda.