Gazeta “Fokus” ka publikuar një hulumtim të thelluar mbi gjendjen me ndërtimet pa leje në Maqedoninë e Veriut, ku sipas të dhënave të siguruara nga Inspektorati Shtetëror për Ndërtim dhe Urbanizëm, rezulton se në të gjithë territorin e shtetit janë paraqitur gjithsej 473,257 objekte pa leje.
Sipas të njëjtit burim, më shumë se gjysma e tyre tashmë janë legalizuar, ndërsa 201,495 objekte mbesin ende me status të “ndërtimeve të egra”, duke vazhduar të përbëjnë një sfidë për planifikimin urban dhe zbatimin e ligjit.
Hulumtimi i “Fokus” gjithashtu ka vënë në pah se, pavarësisht narrativës politike të kryetares së Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska, e cila në disa paraqitje publike ka theksuar komunën e Çairit si një ndër zonat më problematike për ndërtimet pa leje, të dhënat zyrtare tregojnë një realitet krejtësisht ndryshe.
Në fakt, Çairi nuk është ndër komunat me më së shumti ndërtime pa leje, as në nivel republikan dhe as në kuadër të qytetit të Shkupit.
Renditja në nivel republikan:
Në nivel shtetëror, komunat që udhëheqin me numrin më të madh të objekteve pa leje janë:
Gostivari – 8,878 objekte
Prilepi – 8,515 objekte
Tetova – 8,265 objekte
Kërçova – 7,071 objekte
Ndërkohë, komuna e Çairit renditet e 13-ta nga gjithsej 23 komuna që janë të përfshira në këtë raport, me 3,158 objekte pa leje.
Renditja në kuadër të qytetit të Shkupit:
Në nivel të komunave të qytetit të Shkupit, Çairi gjithashtu nuk renditet ndër të parat. Listën e kryeson komuna e Gazi Babës, me plot 10,934 ndërtime pa leje, që është më shumë se tre herë më shumë se Çairi.
Ky hulumtim hedh dritë mbi një çështje komplekse që ka nevojë për qasje institucionale dhe jo politizim. Po ashtu, fakton se perceptimi publik dhe deklaratat politike shpesh mund të mos përputhen me të dhënat zyrtare dhe gjendjen reale në terren.