Kim Mehmeti
Mbamendje është ajo që mbetet e shkruar e jo ajo që na e rrëfejnë gjyshet tona. Andaj edhe është thënë se të mençurit lënë pas vetes shkrime, e ata tjerët llafe, të cilat i merr era apo dalëngadalë zbehen dhe e ndryshojnë të vërtetën.
Edhe të vërteta për Ballkanin dhe ne shqiptarët në të janë ashtu siç ato shpeshherë janë përshkruar nga të tjerët. Për çka edhe ndodh që ne të habitemi pse intelektualët perëndimorë nuk i njohin të vërtetat tona, duke harruar se librat nga të cilat ata kanë mësuar për popujt e këtyre hapësirave, përfshi edhe shqiptarët, kryesisht janë të autorëve serbë.
Andaj ne shqiptarët duhet të bëjmë çmos që ta desërbizojmë të vërtetën për Ballkanin dhe për shqiptarët në të, duke e shqiptarizuar atë me të vërtetat tona. Gjë që mbi të gjitha duhet ta bëjnë historian[t, por edhe të gjithë tjerët që mjet pune kanë penën.
Letërsia serbe është me përplot vepra që flasim për heroizmat serbe dhe ‘barbarizmat’ shqiptare, ndërkaq në letërsinë tonë nuk ka mjaftueshëm krijime as për mizorit e fundit serbe mbi shqiptarët e Kosovës.
Shteti serb ka investuar që këto vepra të përkthehen dhe të botohen në gjuhë të huaja duke e përhapur kështu të vërtetën për vetveten dhe të tjerët kudo ku kanë mundur.
Dhe kështu sot e kësaj dite shumë të vërteta për shqiptarinë bota i mëson nga autorët tjerë e jo nga ato shqiptarë. Madje edhe ne vet kemi filluar që fytyrën tonë kolektive ta shohim me syzat serbe dhe në mos më shumë të sillemi thuajse çdo gjë e jona varet nga Beograd.
Me çka edhe u arrit ajo që pretendonte Serbia: që ne, për shembull, të shlyejmë nga mbamendja se sa herë revolucionarët dhe rilindësit tanë e kanë pasur ngushtë në vendin e tyre, të kërkonin e gjenin strehim në Sofje, Budapest, Stamboll, SHBA e madje edhe në Egjipt, por thuajse kurrë jo në Beograd.
Dhe jo vetëm aq, por ‘zhurma’ serbe neve na bëri thuajse të harrojmë se përtej të vërtetave që i shpërndan për ne Beogradi, ka edhe të tjera të autorëve të njohur botëror që janë marrë me Ballkanin duke qëndruar me vite në këtë troje dhe duke lënë përshkrimet e veta të mbështetura mbi fakte.
Andaj ndoshta është koha e fundit që ato vepra të përkthehen në gjuhën shqipe dhe të sillen nëpër bibliotekat tona që kështu ta begatojmë mbamendjen tonë për vetveten dhe të tjerët rreth nesh.
Me çka edhe do e kuptojmë se si u bë të harrojmë, për shembull, se Sanxhaku është tokë shqiptare dhe në të është folur shqip deri vonë. Apo si u bë dhe harruam që pronarët e tokës përcaktohen nëpërmjet asaj se cilën gjuhë flasin të gjallë që e banojnë atë.
Ndër autorët që kanë shkruar për Ballkanin është edhe Johann von Hahn i cili gjatë udhëtimit të tij të parë nga Beogradi deri në Selanik, gjatë vjeshtës së vitit 1858, merret edhe me të dhëna etnografike dhe gjuhësore mbi rajonin e lumit Morava.
Kështu në veprën e tij “Reise von Belgrad nach Salonik”, 1861, pasqyrohen të dhëna etnografike dhe gjuhësore mbi shpërndarjen e vendbanimeve në rajonin e Moravës sa i përket përbërjes etnike të popullsisë e që përcaktojnë kufirin gjuhësore midis shqipes, bullgarishtes dhe serbishtes në vitet 50-ta të shekullit XІX si dhe pasqyrojnë përbërjen etnike të shumë vendbanimeve sipas rajoneve, e që kanë përfshi pellgun e Toplicës me 84 katunde shqiptare, 32 katunde serbe, 20 katunde bullgare, 11 katunde shqiptaro-serbe dhe 10 katunde bullgaro-shqiptare; pellgun e Pusta Rekës me 17 vendbanime shqiptare, 3 katunde bullgare, 1 katund serb dhe 3 katunde bullgaro-shqiptare; pellgun e Jabllanicës me Medvegjën me 33 katunde shqiptare dhe 30 katunde bullgare; pellgun e Veternicës me 26 katunde bullgare, 12 katunde pa të dhëna për etninë, 7 katunde shqiptare; pellgun e lumit të Moravës së Sipërme me 65 katunde bullgare, 49 katunde shqiptare, 11 katunde serbe, 19 katunde shqiptaro-bullgare dhe 7 katunde shqiptaro-serbe.
I kësaj natyre është edhe punimi i Gustav Weigand me titull “Ethnographie von Makedonien” 1924), në të cilën përcaktohen kufijtë gjuhësorë mes popujve të këtushëm e ku ai shkruan se “Nga mali Gramos, diku te Dardha, kufiri gjuhësor shqiptar bën një kthesë të mprehtë kah lindja përafërsisht te Liqeni i Kosturit dhe pastaj shkon në veriperëndim përmes skajit jugor të Grykës së Prespës deri te skaji jugor i Liqenit të Ohrit, bregu perëndimor i të cilit nga Pogradeci deri te Piskupi është shqiptar; pastaj ai (kufiri) ndjek qafën e Malit Mokra pikërisht në veri deri te Boroveci, rreth 12 km në veri të Strugës”
Një përshkrim shumë të hollësishëm për zonën e kontaktit gjuhësor midis bullgarishtes dhe shqipes ka dhënë edhe studiuesi rus Afanasij Selishçev. Ai ka marr pjesë në ekspeditën ruse shkencore në këto troje gjatë vitit 1914. Shkrimet e tij pasqyrojnë dialektet bullgare në këto hapësira, duke i përcaktuar zonat e kontaktit midis shqipes dhe bullgarishtes.
Dhe nuk janë vetëm këta studiues që kanë lënë vepra të shkuara për gjuhën shqipe, për shqiptarinë dhe ndërlidhjet e saja me të tjerët. Ka edhe plot vepra tjera të kësaj natyre që duhen marr nëpër duar nga studiuesit tanë dhe që duhet përkthyer në gjuhën shqipe me çka ato do e plotësojnë mozaikun e të vërtetave për ne dhe të tjerët rreth nesh. Edhe atë jo me pretendime të tregohemi atë që nuk jemi, por përkundrazi që të qartësohet se cilët jemi.
Më në fund duke mbajtur mend të shkuarën tonë ne edhe do e shohim më qartë sa jemi të gatshëm që të mos lejojmë ajo të na përsëritet dhe si të ruajmë miqësitë me popujt miq e si t’u kundërvihemi atyre që i ndjellë gjaku shqiptar, atyre që duan të na shfarosin ngaqë na ndjejnë si pasqyrë ku e shohin fytyrën e vet të vrastarit dhe vetveten si zaptues të tokave tona.