Dijar Ademi ka shënuar sukses të jashtëzakonshëm në Olimpiadën e 29-të Junior të Matematikës në RMV (JMMO 2025), duke zënë vendin e parë me gjithsej 35 pikë.
Olimpiada është një prej garave më prestigjioze për nxënësit nën moshën 15.5 vjeç dhe këtë vit mblodhi talentët më të spikatur të matematikës nga e gjithë Maqedonia e Veriut.

Në njoftimin zyrtar nga Komisioni për Olimpiadën Junior të Matematikës dhe garat ndërkombëtare, u publikuan rezultatet përfundimtare, ndërsa të gjithë pjesëmarrësit u përgëzuan për njohuritë dhe angazhimin e treguar.
Bazuar në rezultatet, Dijar Ademi është renditur i pari nga 35 garues, apo ndër 18 nxënësit më të mirë, të cilët janë ftuar të marrin pjesë në testin përzgjedhës për formimin e ekipeve që do ta përfaqësojnë Maqedoninë e Veriut në Olimpiadën Ballkanike për të Rinj (JBMO 2025).
Ky test do të mbahet më 2 qershor në Fakultetin e Shkencave Natyrore dhe Matematike në Shkup.
Suksesi i Ademit është dëshmi e përkushtimit të tij dhe një shembull frymëzues për gjithë të rinjtë që synojnë të avancojnë në fushën e matematikës.