Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca ka kërkuar marrëveshje politike për zgjidhjen e ngërçit të zgjedhjes së kryetarit dhe të nënkryetarëve të Kuvendit të Kosovës.
“LVV padyshim që e ka emrin e njëjtë. Është Albulena Haxhiu si e propozuar, por ne meqenëse e kemi parë se të gjitha subjektet politike qysh dje janë prononcuar se do ta kishin qëndrimin e njëjtë, mendoj se kjo situatë nuk mund të zgjidhet ndryshe veçse me një marrëveshje politike. Ashtu siç votohen nënkryetarët e Kuvendit, atë koncept do të duhej ta kishte edhe kryetari i Kuvendit. Pa krijimin e një mazhorance, nuk mund të themelohet vet Kuvendi. Sikur ne ta kishim shumicën, do të mund t’i bllokonim nënkryetarët, a është kjo e arsyeshme? Atëherë ne kërkojmë një kohë shtesë që të mos përsëritet situata e njëjtë, të cilën e patëm tri herë radhazi”, ka thënë Glauk Konjufca nga Lëvizja Vetëvendosje gjatë seancës.
Pas këtij propozimi të Konjufcës, kryesuesi i Kuvendit, Avni Dehari e ndërpreu seancën konstituive, derisa paralajmëroi se vazhdimi i seancës do të ndodhë të mërkurën në orën 10:00.