Sekretari i Komunës së Çairit, Faruk Nevzati, ka dalë me një analizë të thelluar mbi përfaqësimin e shqiptarëve në këshillat komunal gjatë zgjedhjeve lokale të vitit 2021, duke sfiduar një teori të përhapur në opinionin publik.
Sipas tij, ideja se shqiptarët përfitojnë më shumë nëse dalin me sa më shumë lista për këshilltarë komunal nuk qëndron. Përmes një analize të bazuar në formulën e D’Hondt-it – sistem që përdoret për ndarjen e mandateve – Nevzati ka bërë një krahasim konkret mes rezultateve aktuale dhe asaj që do të kishte ndodhur nëse shqiptarët do të kishin garuar me një listë të përbashkët.
Rezultatet e analizës janë domethënëse:
• Në Qytetin e Shkupit, ku aktualisht shqiptarët kanë 7 këshilltarë, me një listë të përbashkët do të kishin fituar 9 këshilltarë, pra dy më shumë.
• Në Komunën e Butelit, nga 4 këshilltarë aktualë, një listë e përbashkët do të kishte sjellë 5 këshilltarë, pra një më shumë.
“⛔️ Nuk qëndron teoria se shqiptarëve u duhen më shumë lista në zgjedhjet lokale,” – thekson Nevzati, duke shtuar se përfaqësimi me sa më pak lista, e sidomos një e vetme, do të rriste ndjeshëm përfaqësimin në këshillat komunal.
Ai bën thirrje që në të ardhmen, sidomos në komuna si Buteli, shqiptarët të bashkohen në një listë të vetme, me qëllim që të maksimizojnë përfaqësimin politik dhe të kenë më shumë ndikim në vendimmarrjen lokale.
Në fund të analizës së tij, Nevzati paralajmëron se ndarja në shumë lista jo vetëm që dëmton përfaqësimin, por edhe dobëson fuqinë politike të shqiptarëve në institucionet vendore.