Zëvendëskryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Izet Mexhiti, ka përshëndetur inaugurimin e Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, duke e cilësuar atë si një festë të jashtëzakonshme të unitetit, traditës dhe trashëgimisë amerikane, shkruan POPULLI.mk
Mexhiti theksoi se ceremonia madhështore, e cila mishëroi betimin ndaj lirisë dhe vlerave të demokracisë, përcolli mesazhin e një kombi të fortë dhe të vendosur për të mbrojtur idealet e lirisë dhe drejtësisë.
“Një inaugurim historik, që nënvizoi përkushtimin e popullit amerikan ndaj vlerave të larta që frymëzojnë demokracitë anembanë botës. Shprehim urimet më të mira për suksesin e Presidentit Trump në drejtimin e një prej shteteve më të fuqishme të botës”, tha Mexhiti.
Kjo deklaratë vjen si një mesazh mbështetjeje për vazhdimin e marrëdhënieve të ngushta mes Maqedonisë së Veriut dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të cilat mbeten një partner strategjik dhe mbështetës kyç për rajonin.