Mungesa e librave që nga fillimi i vitit shkollor deri më tani, po shkakton probleme të shumta në mbarëvajtjen e procesit mësimor, në veçanti në drejtimet profesionale
Shkup, 26 nëntor – Mungesa e librave profesionale në shumë shkolla tashmë është shndërruar në shqetësim të madh për zhvillimin e edukimit dhe aftësive profesionale, si dhe për avancimin e kërkimit shkencor. Kjo problematikë prek jo vetëm studentët dhe profesionistët, por edhe bibliotekat dhe institucionet arsimore, të cilat shpesh përballen me mungesë të literaturës së nevojshme për studime të thelluara dhe për përgatitje profesionale. Mungesa e librave që nga fillimi i vitit shkollor deri më tani, po shkakton probleme të shumta në mbarëvajtjen e procesit mësimor, në veçanti në drejtimet profesionale. Jasin Brava, nxënës në SHMQSH “Marija Kiri Sklodovska”, thotë se mungesa e librave profesionale në shkollë është një problem i madh që ndikon në arsimimin tonë të mesëm, e sidomos për lëndët shkencore si biokimia apo mjekësia, mikrobiologjia, kimia klinike e shumë të tjera.
“Ky problem e vështirëson zhvillimin e mësimit në mënyrë ekstreme, librat janë burimi kryesor i dijes dhe për shkak të mungesës, nuk mund t’i shtojmë njohuritë tona. Personalisht më pengon shumë. Në qoftë se edhe profesori nuk shpjegon siç duhet, nuk do të kisha mundësi të kuptoj tema të ndërlikuara. Pa dyshim, mungesa e librave neve na lë pas në krahasim me gjimnazet. Në lëndët ku nuk kemi libra, mësimin e zhvillojmë nëpërmjet projektorit, ose materiale që mësimdhënësi i përgatit prej në shtëpi”, thotë Brava.
Edhe Sara Feta, nxënëse e SHMQSH “Cvetan Dimov” tha se librat janë thelbësorë për përvetësimin e njohurive dhe zhvillimin e aftësive analitike.
“Kur mungojnë, nxënësit dhe mësuesit janë të kufizuar në burimet që mund të përdorin, duke u mbështetur shpesh në materiale online që mund të jenë të pasakta. Kjo pengon zhvillimin e mendimit kritik dhe mësimin e thellë. Mësuesit duhet të krijojnë materiale shtesë, por këto nuk mund të zëvendësojnë një libër të mirë strukturuar” tha ajo. Nga ana tjetër, të njëjtin shqetësim ka edhe Elvide Memedova, nxënëse e SHMQSH “Cvetan Dimov”, e cila thotë se mungesa e librave profesionalë në shkolla është një shqetësim i madh, pasi ndikon drejtpërdrejt në cilësinë e arsimit dhe zhvillimin e njohurive të studentëve. “Mungesa e librave e ngadalëson dhe e vështirëson mësimin, por ne mundohemi ta kalojmë këtë situatë. Profesorët sigurojnë materiale online dhe ne gjithashtu kërkojmë materiale përmes internetit, apo duke bërë fotokopjime të skripteve”, tha ajo.
Mungesa e literaturës profesionale po përkthehet edhe në një hendek të mundshëm në zhvillimin e sektorëve të ndryshëm, si teknologjia, inxhinieria, mjekësia, biznesi dhe shkencat shoqërore. Për shembull, librat dhe artikujt shkencorë janë esencialë për zhvillimin e metodave të reja, praktikave të avancuara dhe përmirësimin e standardeve profesionale. Një tjetër problem është edhe mungesa e përkthimeve të literaturës profesionale në gjuhën shqipe, e cila kufizon qasjen e një pjese të madhe të popullsisë që nuk ka njohuri të avancuara të gjuhëve të huaja. Kjo e bën më të vështirë për profesionistët dhe studentët që të merren me literaturë të përkthyer dhe të mund të kuptojnë plotësisht informacionin dhe kërkimet që ndihmojnë në përparimin e fushave të tyre.
Për të përmirësuar situatën, është e nevojshme që institucionet arsimore dhe bibliotekat të investojnë në burime profesionale dhe shkencore, përfshirë literaturën ndërkombëtare të përkthyer në shqip. Gjithashtu, Qeveria, Ministria e Arsimit, por edhe organizatat joqeveritare duhet të mbështesin financimin e burimeve edukative. Mungesa e librave pengon zhvillimin intelektual dhe profesional të individëve dhe përparimin e shoqërisë. (koha.mk)