Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ariana Musliu-Shoshi, ka akuzuar Qeverinë se e do diasporën vetëm sa për fushatë, duke komentuar problemet e Ministrisë së Jashtme me operatorin për ofrim të shërbimeve postare diplomatike.
Ministria e Jashtme dje (e premte) ka njoftuar se ka shkëputur kontratën me operatorin për ofrim të shërbimeve postare diplomatike shkaku i “vonesave të papranueshme në dërgimin e dokumenteve”. Në raportimet e mediave është thënë se qindra dokumente të mërgimtarëve janë humbur në postën diplomatike të Kosovës, diçka që ministria e udhëhequr nga Donika Gërvalla e ka mohuar.
Në një konferencë për media të shtunën, Musliu-Shoshi ka thënë se dëmi që u është bërë qindra mërgimtarëve nga “dështimi i MPJ-së” është i pallogaritshëm.
“Pikërisht kur menduam se të paktën kjo javë do të kaloj pa një skandal qeveritar Mediat fatmirësisht publikuan dy afera të MPJ-së. 406 pasaporta, 165 letërnjoftime, 4 vendime për shtetësi të mërgimtarëve tanë janë humbur në postën diplomatike të RKS-së. Siç mësohet tenderi për shpërndarjen e këtyre dokumenteve të rëndësishme të qytetarëve tanë që jetojnë në mërgatë i ishte dhënë një kompanie me çmim shumëfish të shtrenjtë, hiç më pak se 6 herë më të shtrenjtë. Dëmi që u është bërë qindra qytetarëve tanë që jetojnë në mërgatë, të cilët kanë shumë vështirësi me të cilat përballen, është i pallogaritshëm. Si pasojë e këtij dështimit të punës së MPJD shumë udhëtime e bashkime familjare do të shtyhen, shumë punë do të ndërpriten e shumë plane të tyre do të prishen”, ka thënë ajo.
Ndërhyrja e Ministrisë së Jashtme që të sigurohen hapësira për votimin e diasporës në zgjedhjet e 9 shkurtit, deputetja e PDK-së e ka quajtur si “skandal të radhës”. Një mënyrë e tillë, sipas Musliu-Shoshit, është në kundërshtim me ligjin. Ka shtuar se është hera e parë që një Ministri e Jashtme e përfundon mandatin pa asnjë njohje.
“Humbja e dokumenteve personale rrezikon edhe keqpërdorimin e identitetit personal gjë që nuk guxon të ndodh në asnjë mënyrë. Fatkeqësisht kjo ministri dhe kjo ministre kanë dëshmuar vazhdimisht se nuk është as e jashtme dhe as e diasporës dhe as e aftë për të forcuar pozicionin e shtetit tonë në borë. Mërgatën tanë kjo qeveri e don vetëm në fushatë, për vota dhe për shfrytëzim politik. Këtë e vërteton edhe skandali tjetër për ndërhyrjen e MPJ në organizimin e zgjedhjeve nacionale. Në kundërshtim me ligjin, kjo ministri ka kërkuar nga ambasadorët që të sigurojnë hapësira të reja për votimin e diasporës në zgjedhjen nacionale. Këto nuk janë dy skandalet e vetme të kësaj Qeverie, është hera e parë në historinë e Republikës sonë që një ministre e Punëve të Jashtme ka mandat katër vjeçar dhe ne si shtet nuk kemi asnjë njohje, dhe nuk kemi asnjë anëtarësim në organizatat ndërkombëtare”, ka shtuar ajo.
Tutje, deputetja ka kërkuar nga organet e drejtësisë të nisin hetimet për këtë ministri.
“Sot si PDK kemi vetëm një kërkesë për organet e drejtësisë që krahas hetimeve të tyre për hajninë me energjinë me energjinë elektrike, për hajninë me ambalazhuesit e ujit, të atyre me rezervat shtetërore dhe me kontratat një burimore, krahas hetimeve për nepotizëm dhe korrupsion nëpër institucione të ndryshme publike, urgjentisht të nis hetimet edhe në MPJ për shkak të dyshimeve të keqpërdorimeve të shumta me dokumentet zyrtare të qytetarëve tanë dhe ndërhyrjen e saj jo ligjore në organizimin e zgjedhjeve të përgjithshme”