“Vendimit për ndarjen e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë në rrugën e tyre drejt BE-së, iu gëzuan vetëm Bullgaria dhe opozita tek ne dhe më vjen keq për këtë”, ka deklaruar sot kryeministri maqedonas, Hristijan Mickovski pas takimit me homologun e tij hungarez, Viktor Orban në Shkup.
Kryeministri maqedonas shtoi se “nuk duhet të humbasim shpresat dhe të zhgënjehemi, edhe pse jemi zhgënjyer shumë herë në këto dekada”.
“Më vjen keq që duhet të jemi viktimë e marrëdhënieve bilaterale, e jo të përmbushjes së kritereve të Kopenhagës, por do të vazhdojmë të punojmë shumë dhe t’i zgjidhim problemet në vend që janë shtresuar dhe janë trashëgimi e jona nga qeveria e kaluar”, tha Mickoski.
Ai uroi që Shqipëria të përfundojë sa më shpejt procesin e negociatave, me shpresën se “një ditë do të mund të ulemi edhe ne në atë tryezë”.
“Duhet të merremi me realitetin dhe ndoshta një ditë edhe ne do të gjykohemi nga përmbushja e kritereve të Kopenhagës, dhe jo nga problemet dypalëshe që zakonisht i referohen mesjetës, për të mos përmendur të ardhmen, e cila është thelbi i ekzistencën e BE-së”, tha Mickoski.
Orban ndërkaq përsëriti mbështetjen e tij për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në BE, duke e komentuar si gabim historik faktin se ende vendi nuk i ka filluar negociatat dhe se gabimi, siç tha ai, tani është dyfish më i madh me shkëputjen e Shqipërisë, e cila tha se do të përshpejtojë rrugën e saj drejt BE-së.
Orban i paraqiti Mickoskit një propozim për gjetjen e një zgjidhjeje me Bullgarinë dhe Hungaria i ofroi ndërmjetësim të bisedimeve si kryesues i BE-së.
“Ndalesa tjetër është marrëveshja dhe unë kam një propozim. Unë dua të ndërmjetësoj këtë çështje. Nëse Bullgaria është e gatshme të na pranojë të jemi ndërmjetës, kjo është çështje e atij vendi ata duhet të vendosin. Mickoskit i kemi ofruar ndërmjetësim. Është e vështirë të kuptosh pse veçohet Shqipëria. Është e vështirë për një komb ta kuptojë këtë. Dua të theksoj se krenaria kombëtare është gjëja më e rëndësishme për një komb dhe vendimi i BE-së është pikërisht shkelje e krenarisë kombëtare të Maqedonisë së Veriut. Kjo shkakton plagë, dhe është gabim i madh që nuk je anëtar i BE-së dhe është gabim që po favorizohet dhe avancohet vetëm një vend tjetër, Shqipëria. Ju duhet të hapni negociatat me BE-në deri në fund të vitit”, tha Orban.
Gjatë ditës, kabinetet qeveritare të dy vendeve zhvilluan seancë të përbashkët, ndërsa ajo që ra në sy se në këtë mbledhje në kabinetin qeveritar të Maqedonisë së Veriut mori pjesë vetëm një ministër nga koalicioni VLEN edhe atë ai i eurointegrimeve, Orhan Murtezani. /tvklan.mk