Shqiptari i Kosovës, Liridon Rexhepi, u arrestua të martën në Stamboll, nën dyshimin se ka menaxhuar rrjetin financiar të Mossadit në Turqi.
Siç ka shkruar agjencia shtetërore turke e lajmeve, Anadolu Agency, i dyshuari u arrestua nga Departamenti i Antiterrorit në Stamboll.
Ndërkohë mediat turke kanë publikuar detaje të reja lidhur me veprimtarinë e Rexhepit.
Kështu është konstatuar se Rexhepi ka transferuar para për personelin në terren në Turqi, i cili, nën udhëzimet e Mossad, ka kryer operacione me dronë, operacione psikologjike kundër politikanëve palestinezë dhe ka përpiluar informacione për fushën siriane.
Si rezultat i punës së MIT-it u zbulua aktiviteti në llogaritë financiare të Liridon Rexhepit.
Të gjitha llogaritë e Rexhepit, i cili u konstatua se kishte bërë një numër të madh të transfertave të parave përmes Western Union për personelin në terren në Turqi, u monitoruan për shkak të lëvizjeve të dyshimta.
Liridon Rexhepi sipas këtyre raportimeve filloi të monitorohej hap pas hapi që nga momenti kur hyri në Turqi më 25 gusht 2024 dhe aktivitetet e tij u regjistruan.
Pas kësaj faze u vendos koordinimi me Drejtorinë e Degës TEM të Policisë së Stambollit. Rexhepi u ndalua pikërisht nga kjo drejtori më 30 gusht.
Liridon Rexhepi, thuhet se në deklaratën e tij në polici ka pranuar se ka bërë transferta parash.
Pagesa me kriptovaluta
Siç raportohet, si rezultat i operacioneve të kryera nga Organizata Kombëtare e Inteligjencës, është konstatuar se Mossad ka transferuar para për personelin e saj në terren në Turqi nga vendet e Evropës Lindore, veçanërisht nga Kosova.
Po ashtu raportimi thekson se u zbulua se personeli në terren në Turqi i përdorte paratë që merrnin nga Mossad në fushën siriane.
Si rezultat i gjurmimit të parave, u konstatua se personeli në terren në Turqi i transferonte paratë që vinin nga Kosova në nënburimet e tyre në Siri përmes Western Union.
Gjithashtu u përcaktua se personeli në terren në Turqi paguante burimet e tyre në Siri nëpërmjet kriptomonedhës.