Pse ceremonia e Olimpikeve të Parisit ishte ndyrë me paganizëm, idhujtari e antifetari?

3 Min. Leximi

Lojërat sportive olimpike kanë nisur në shekullin e VIII para erës së re, dhe kanë përfunduar në shekullin e IV të erës së re. Ato mbaheshin një herë në katër vjet dhe zhvilloheshin për nder të kryezotit pagan të Greqisë së lashtë, Zeusit. Dhe sipas legjendës ato u iniciuan nga biri i tij gjysmë njeri gjysmë perëndi, Herakli (Herkuli).

Lojërat olimpike u ndërprenë nga perandori i krishterë Theodosi, që bëri thirrje për ndalimin e të gjitha festivaleve pagane. Dhe u ringjallën në fund të shekullit XIX nga Baroni francez Pierre de Coubertin (1863-1937). Kështu që Franca e di mirë origjinën e këtyre lojërave dhe me ceremoninë hyrëse i kujtoi njerëzimit pikërisht kultin e vjetër pagan, të cilit ato i kushtoheshin. Por duke qenë se Franca e sotme është një përziere e paganizmit antik me atë modern, ku përfshihen edhe elementë të besimit të krishterë, nuk kishte si të gjitha këto të mos bëheshin bashkë në një mishmash absurd kontrovers.

- Advertisement -

Nëse Greqia ishte atdheu i rrënjëve antike të politeizmit evropian, Franca është atdheu bashkëkohor i politeizmit të sotëm evropian dhe jo vetëm. Ky vend mbart mëkatin e nisjes së luftës ndaj Zotit dhe besimit monoteist ndaj dhe ky vend është atdheu i ri i sotëm i lojërave olimpike, dhe detajet e asaj ceremonie në Francë nuk ishin aspak të parëndësishme, por ishin shpalosja e panoramës më të qartë të idhujtarisë bashkëkohore dhe dilemës së krishterë në të cilën jeton sot Evropa. Dhe duke qenë se Franca kërkon të jetë pararoja e çdo ideje të ndyrë afetare, ajo i bëri jehonë pikërisht kultit neopagan, që adhurohet sot në Perëndim dhe jo vetëm.

Edhe pse lojërat olimpike janë thjesht sport, dhe shumë prej njerëzve u duken të parëndësishme mesazhet (a)fetare që dha ceremonia e hapjes, ajo konfirmon edhe një herë epokën e re të idhujtarisë që jetojmë, në mënyrë që si ata që janë të vetëdijshëm si ata që nuk janë, të mos harrojnë se kush është Zeusi i sotëm që adhurohet.

Arti gjithmonë i ka paraprirë promovimit të ideologjive të reja që pushtojnë botën moderne, kështu që edhe kësaj here nuk kishte si të ishte ndryshe. Kështu që përtej fyerjes dhe denigrimit amoral e afetar që mbarte ajo ceremoni, Franca duhet “falënderuar” që i rikujton botës se cilët janë idhujt e sotëm që adhurohen.

Në fund të fundit, ata fetarë që protestojnë për ndyrësinë e kësaj ceremonie, duhet ta kuptojnë se lojërat olimpike apo emri i tyre, nuk mund të zhvishen plotësisht nga origjina pagane e përkushtimit.

- Advertisement -

Shkroi: Justinian Topulli

TOP Lajmet

Ndani këtë artikull