Ngasësi i skuderisë së McLarenit, Oscar Piastri, e ka shënuar fitoren e parë në Formula 1, duke e mposhtur ngasësin tjetër të ekipit, Lando Norris.
Piastri triumfoi në garën Grand Prix në Hungari të dielën.
Australiani 23-vjeçar e nisi garën i dyti, prapa Norrisit, por ia rrëmbeu atë pozitë menjëherë në kthesën e parë.
Norrisi më pas ishte duke kryesuar pas strategjisë së ndalesës që e favorizoi atë, ndërsa me kërkesë të ekipit në fund të garës, ia liroi rrugën shokut të skuadrës për të triumfuar.
“Kjo është dita për të cilën kam ëndërruar, të qëndrojë i pari në podiumin e Formula 1”, ka thënë Piastri.
Lewis Hamiltoni me Mercedesin përfundoi në vendin e tretë.
Për shtatë herë kampionin e Formula 1, ishte podiumi i 200-të në karrierë.
Max Verstappen me RedBullin, që i prinë renditjes me pikë, përfundoi i pesti.
Para tij ishte Charles Leclerc me Ferrarin.
Verstappen mbetet pa fitore në tri gara, por i prinë renditjes së përgjithshme të ngasësve me 265 pikë, ndërsa Norris është i dyti me 189 pikë.