Një gjykatë pakistaneze ka pezulluar dënimet dhe ka liruar ish-kryeministrin Imran Khan dhe gruan e tij në një rast që i akuzonte ata për shkelje të ligjit të martesës islame, transmeton Anadolu.
Gjyqtari Muhammad Afzai Majoka i Gjykatës së Qarkut dhe Sesioneve të Islamabadit dha vendimin mbi apelimin e çiftit kundër dënimit të tyre në këtë rast, duke urdhëruar lirimin e tyre nëse nuk kërkohen në ndonjë çështje tjetër.
Kjo është fitorja e dytë e madhe ligjore e Khan-it në dy ditët e fundit pasi Gjykata e Lartë e Pakistanit dje urdhëroi Komisionin Zgjedhor të Pakistanit t’i ndajë 77 vende të rezervuara për gratë dhe pakicat për partinë e tij, Pakistan Tehreek-e-Insaf (PTI), në kuvendet kombëtare dhe krahinore.
Khan dhe gruaja e tij Bushra Bibi u dënuan me shtatë vjet burg nga një gjykatë në muajin shkurt, vetëm disa ditë përpara zgjedhjeve të përgjithshme në vend.
Ky ishte dënimi i tretë i Khan-it, pasi dy dënimet e tij të mëparshme u pezulluan dhe u anuluan nga Gjykata e Lartë e Islamabadit.
Megjithatë, Khan ka pak shanse për t’u liruar sepse ai akuzohet në dhjetëra raste të tjera, duke filluar nga korrupsioni deri te dhuna.
Rastet kundër tij, Khan i quan si “mashtrim”.
Megjithatë, bashkëshortja e tij ka gjasa të lirohet.
72-vjeçari kriketist i kthyer në politikan, i cili u hoq nga detyra në prill të vitit 2022 me një votë mosbesimi, është burgosur në qytetin verilindor Rawalpindi që nga gushti i vitit të kaluar.