Spanja është e përqendruar totalisht te finalja e Euro 2024.
Skuadra e Luis De la Fuentes do të sfidojë Anglinë e Gareth Southgate në “Olympiastadion” të Berlinit, me misionin për të siguruar Europianin e katërt në histori. Si asnjë Kombëtare më parë.
“Jemi të lumtur dhe të emocionuar. Do të luajmë kundër një rivali kaq të rëndësishëm, me lojtarë të mëdhenj. Dhe kjo na fton të mendojmë se do të jetë një spektakël fantastik.
Mendoj se të dyja skuadrat vijnë në një moment të mirë në këtë finale. Do të jetë një spektakël i madh për njerëzit që të vijnë të na shohin dhe të shijojnë ndeshjen“.
Më pas arkitekti i Spanjës u ndal te karakteristikat e Anglisë duke u futur në një analizë të finales.
“Kemi stile shumë të ndryshme loje. Ata kanë lojtarë që ju pëlqen të vrapojnë shumë kur gjejnë hapësira.
Pak nga pak, ne do të përpiqemi të imponojmë lojën tonë, duke patur më shumë zotërimin e topit. Por ne kemi dhe opsionin për të luajtur në kundërsulm.
Gjithsesi ka edhe aspekte të tjera si të mos bësh gabime, ndjesia për të ditur se ka pak marsh për gabime apo dëshira për të fituar.
Ka shumë aspekte psikologjike që mund të kenë efekt në zhvillimin e ndeshjes.
Ne do të përpiqemi t’i dominojmë këto elemente që luajnë një rol të rëndësishëm gjatë ndeshjes, në mënyrë që të kemi kontroll mbi këto situata“.