Përfaqësimi i grave në vendimmarrje në Maqedoninë e Veriut ende është shumë i ulët, sidomos i grave shqiptare. Pavarësisht se ndër vite ky përfaqësim është përmirësuar, ende nuk është në nivelin e kënaqshëm. Së fundmi RMV-ja u bë me përbërje të re parlamentare dhe qeveri të re, ku vendi shënoi regres në drejtim të përfaqësimit gjinor. Në kuvend janë gjithsej 10 gra deputete shqiptare ndërsa në qeveri nuk ka asnjë ministre shqiptare. Për këtë problematikë dhe të tjera, në një seri intervistash Portalb.mk sjell biseda me deputetet shqiptare të Kuvendit të RMV-së. Këtë herë biseduam me Imërlije Saliun, deputeten e parë me shami në Kuvendin e RMV-së e cila vjen nga koalicioni VLEN.
Intervistoi: Albina Ramadani
Portalb: Ndër vite përfaqësimi i gruas në politikë është rritur, megjithatë kur vjen puna te postet vendimmarrëse gratë, sidomos ata shqiptare ngelin të papërfaqësuara, sipas jush pse ndodh kjo?
Imërlije Saliu: Përfaqësimi i grave në politikë është një ndër temat më delikate që duhet parë nga më shumë këndvështrime. Pozita e gruas nuk është temë vetëm në shoqëritë shqiptare, por në përgjithësi në botë. E ku flasim për rrethanat ballkanike, në rastin konkret për Republikën e Maqedonisë së Veriut, nga përvoja ime paraprake më rezulton se nuk është edhe krejt zi.
Ne i kemi kuotat ligjore që e përcaktojnë numrin minimal të kandidatëve për zgjedhje të cilat doemos duhet të jenë gra, kuota këto të cilat duhet të implementohen në listat për kandidatë të partive politike në zgjedhje. Kodi zgjedhor aktual parashikon që të paktën 40% e deputetëve në Kuvend të jenë gra. Neni 64 i këitj kodi parasheh se: “Në listën e parashtruar të kandidatëve për deputetë dhe për anëtarë të këshillit të komunës dhe qytetit të Shkupit, në çdo të tretën pozitë në listë së paku një vend i takon gjinisë më pak të përfaqësuar”.
Është ky një mekanizëm që ka ndihmuar në rritjen e përfaqësimit të grave në politikë, nga njëra anë, por nga ana tjetër, vetë ekzistimi i këtyre mekanizmave tregon se ne kemi ende shumë punë për të bërë që të shmangim masat “detyruese” ose “diskriminimin pozitiv” për t’i përfaqësuar gratë në politikë dhe të ecim drejt shoqërive të qytetëruara me barazi të plotë gjinore pa kuota detyruese.
Gjithsesi, mendoj se ka ende hapësirë për t’u përmirësuar dhe unë besoj se kemi mjaftueshëm vullnet që ta bëjmë këtë.
Portalb: Së fundmi vendi u bë me qeveri të re, por nuk kemi asnjë ministre shqiptare grua, por edhe në të kaluarën përfaqësimi ka qenë thuaj se inegzistent për këtë pozitë, si e vlerësoni këtë?
Imërlije Saliu: Sa i përket përbërjes së re qeveritare, realisht përqindja e përfaqësimit të grave në pushtetin ekzekutiv vetëm me tre gra ministre dhe të parën grua presidente, nuk është se është lajm i kënaqshëm. Ajo që na bën pak të mburremi është se si koalicion VLEN do të përfaqësohemi me tre zëvendësministre, pra me tre gra, ndërsa jam e bindur se gra do të kemi edhe në pozicione të tjera të drejtorive e dikastereve të tjera të pushtetit. Për ne si VLEN arritja e barazisë gjinore nuk është vetëm një çështje e drejtësisë ose e plotësimit të kuotave, por është gjithashtu esenciale për përparimin demokratik dhe social në vend, me qëllim që gruaja të jetë e pozicionuar në shoqëri aty ku ajo meriton dhe është e përgatitur profesionalisht. Ne jemi të vetëdijshëm se opinioni ka pritshmëri më të larta në përfaqësimin e grave në poste drejtuese, por kjo nuk varet vetëm nga partitë, por varet edhe nga gratë, që duhet të jenë më këmbëngulëse në këtë drejtim. Gjithsesi në periudhën e ardhshme do të përpiqemi ta kemi më të balancuar këtë situatë, sidomos në zgjedhjet e ardhshme lokale.
Portalb: Pse gratë në vendin tonë janë të heshtura kur vjen puna te ndarja e “kulaçit” dhe posteve në vendimmarrje?
Imërlije Saliu: Fakti që sot flitet kaq zëshëm për këtë temë, kjo tregon se kemi gra mirë përgatitura profesionalisht në të gjitha fushat akademike. Fatmirësisht, kemi kuadro dhe sot me mburrje flasim për cilësi sa u përket profileve të grave, sepse përveç politikës, ato janë të dëshmuara edhe si mjeke, ekonomiste, por edhe në biznese private e shumë fusha të tjera. Unë mendoj se gratë nuk janë të heshtura, por është problemi te tradita politike që nuk ndryshon me hapa aq të shpejtë siç duam ne në këtë aspekt. Gratë kanë shfaqur njëfarë ndrojtje në kuptim të garës brendapartiake për pozicionim politik. Megjithatë, duke parë se si çdo ditë e më shumë gratë po dëshmohen në fushat e tyre profesionale, jam e bindur se në të ardhmen edhe në këtë aspekt do të mund të radhisim suksese.
Portalb: A mendoni se listat e hapura do ishin një lloj zgjidhjeje për përfaqësim më të madh të grave në Kuvend dhe të njëjtat të kontribuonin në mbështetjen më të madhe të grave në politikë?
Imërlije Saliu: Ndryshimi dhe plotësimi i Kodit Zgjedhor me lista të hapura ka qenë një ndër iniciativat e ndërmarra nga partitë politike në vend e për të cilën nuk është arritur konsensus. Personalisht jam PRO ndryshimeve të Kodit Zgjedhor, me të cilat do të mundësohej që zgjedhjet të mbahen me lista të hapura. Zgjedhjet me lista të hapura krijojnë mundësi që të kandidojnë kandidatë më kualitativë nga të gjitha sferat e shoqërisë dhe ashtu u jepet mundësia qytetarëve të mund të votojnë për atë kandidat për të cilin/cilën ata vlerësojnë se është më i/e miri/mira ose ta zgjedhin të preferuarin e tyre, pavarësisht se ku është renditur në listën zgjedhore.
Ky lloj votimi do t’i demokratizojë edhe nga brenda strukturat e vetë partive politike, gjë që do të mundësojë edhe avancimin e demokracisë në RMV. Listat e hapura mund të jenë një mundësi e mirë edhe për gratë që ato të jenë më të përfaqësuara në lista zgjedhore, por duhet ta kemi parasysh se në atë rast do të na duhet edhe më shumë angazhim në edukimin e votuesve. Gjithsesi nëse gjysma e popullatës votuese janë gra, mendoj se me lista të hapura do të duhej që edhe gjysma e përfaqësuesve të popullit të jenë gra. Mund të jetë supozim ose dëshirë e mirë, por gjithsesi jam PËR.
Portalb: Ku qëndron zgjidhja sipas jush në bërjen e RMV-së një mjedis më të mirë për gratë në politikë?
Imërlije Saliu: Kuvendi i Maqedonisë së Veriut e ka miratuar Strategjinë për Barazi Gjinore 2022-2027, që ka për qëllim fuqizimin e të drejtave të grave në vend. Është kjo një strategji e cila vlerësohet se do ta përmirësojë gjendjen e barazisë gjinore në përputhje me përvojat ndërkombëtare.
Kjo strategji premton krijimin e një shoqërie në të cilën gratë dhe burrat do t’i kenë të njëjtat privilegje dhe përgjegjësi, si dhe përfshin hartimin, zbatimin, monitorimin dhe vlerësimin e politikave, masave rregullatore dhe programeve të shpenzimeve, me qëllim të promovimit të barazisë midis grave dhe burrave dhe luftimin e diskriminimit.
Po ashtu, edhe me Konventën e Stambollit përfaqësimi i drejtë, politikat e ndjeshme gjinore dhe e drejta për vlerësim të barabartë të punës janë zbatuar në vendin tonë. Të gjitha këto ndihmojnë në krijimin e kushteve për një mjedis më të mirë për gratë në politikë.
Megjithatë, mendoj se duhet akoma më shumë angazhim që këto masa të zbatohen ashtu siç janë paraparë, sepse aty ka mjaft mekanizma që e çojnë gruan drejt avancimit në skenën politike dhe, në përgjithësi, në jetën publike.
Portalb: Cilat janë sfidat me të cilat përballet një grua politikane shqiptare në Maqedoninë e Veriut?
Imërlije Saliu: Nuk mund të bësh betejë politike ose të jesh pjesëmarrëse në jetën publike e të mos ballafaqohesh me sfida të ndryshme, pavarësisht gjinisë. Megjithatë, ato gra që unë i njoh në politikë, ato janë të guximshme dhe të afta për t’u përballur vetë me sfidat që u dalin përpara. Ato e dinë shumë mirë kush janë, çfarë duan e ku duan të arrijnë.
Gratë shqiptare të skenës publike nuk kanë nevojë që dikush t’ju japë një mundësi, sepse ato vetë e marrin dhe e krijojnë atë. Edhe kur përballemi me peripeci të ndryshme, siç është gjuha e urrejtjes, ofendimet, paragjykimet e stereotipat, por edhe kur jemi para detyrimeve familjare e akademike, ne jemi të gatshme t’u bëjnë ballë këtyre sfidave.
Portalb: Për fund, çfarë mesazhi do ju jepni të gjitha vajzave të reja të cilat duan t’i futen politikës por nga rrethi dhe situata aktuale ngurojnë?
Imërlije Saliu: Mos ngurroni ta merrni atë që ju takon dhe që meritoni! As mos prisni që dikush t’jua falë! Ju duhet të dëshmoni me aftësi se meritoni diçka. Gjithsesi, do të doja që të gjitha vajzat e reja ta dinë se po aq sa është e rëndësishme karriera, jo më pak e rëndësishme është edhe familja.