Qeveria e Maqedonisë së Veriut përmes një kumtesë për media thotë se nga afërsisht 28.000 vende në vitin shkollor 2025/2026 për nxënësit që do të mund të regjistrohen në shkollat e mesme komunale, prej tyre 18.500 vende janë të parapara për regjistrim në shkollat e mesme profesionale, prej të cilave 6.725 vende në arsimin dual në gjithsejtë 269 paralele.
Nga Qeveria gjithashtu njoftojnë se e kanë rritur numrin e bursave për arsim dual në 1570, ndërsa është rritur edhe numri i kompanive që, përveç mësimit teorik në shkollë, do t’u mundësojnë nxënësve të shkollave të mesme të regjistruar në paralelët duale edhe mësim praktik në 550 kompani.
“Kjo do të thotë se nxënësit, gjatë shkollimit të tyre, do të fitojnë edhe aftësi praktike, do të kualifikohen për tregun e punës dhe do të kenë mundësi të punësohen menjëherë pas përfundimit të shkollimit. Janë siguruar 50 milionë denarë, respektivisht bursë mujore prej 3.500 denarësh për 9 muaj në vit, të cilën do ta marrin nxënësit që do të regjistrohen në paralelet duale dhe do t’i plotësojnë kushtet e konkursit që do të shpallet për ndarjen e bursave…Angazhimi ynë si Qeveri është ta reformojmë dhe përmirësojmë sistemin arsimor dhe të rinjtë në vend që të shpërngulen do të mund ta ndërtojnë të ardhmen e tyre në Maqedoni”, thuhet në njoftimin e lëshuar nga Qeveria.