Grupi parlamentar i VMRO-DPMNE-së ka dorëzuar një ligj me të cilin për 5 vite shtesë zgjatet legalizimi i objekteve të ndërtuara pa leje. Qëllimi është, siç tha deputeti i kësaj partie Bojan Stojanovski, të zgjidhet statusi i objekteve të ndërtuara më herët, por kjo nuk do të vlejë për ato të ndërtuara rishtazi.
“E vazhdojmë afatin për 5 vite shtesë, përkatësisht në vend të 15, ligji do të vlejë gjithsej 20 vite, deri më 3 mars 2031. Mundësojmë siguri juridike për komunat si organe kompetente që të mund t’i përfundojnë në mënyrë ligjore procedurat tashmë të filluara dhe ky ndryshim nuk parashikon kërkesa të reja, por ekskluzivisht është në shërbim të atyre qytetarëve që tashmë kanë dorëzuar dokumentacionin dhe me vite presin fletën e tyre të pronësisë”, tha Bojan Stojanovski, VMRO-DPMNE.

