Uji në Shkollën Fillore “Dimo Haxhi Dimov” në Karposh, Shkup, është sanitarisht i sigurt dhe mund të përdoret pa asnjë problem. Kjo u konstatua nga rezultatet e mbikëqyrjes së jashtëzakonshme që NP “Ujësjellësi dhe Kanalizimi” e kryen në shkollë dy ditë më parë, pas raportimeve se disa nxënës kishin shfaqur shqetësime të stomakut dhe simptoma të tjera, ndërsa disa prej tyre u shtruan edhe në spital. Ndërkaq, për gjendje të mirë higjieno-sanitare në kuzhinën e konviktit të shkollës së mesme “Zdravko Cvetkovski” në Shkup, ka njoftuar edhe Agjencia për Ushqim dhe Veterinari (AUV), pas pretendimeve se nxënësve u janë shërbyer vakte në të cilat janë gjetur insekte.
Përveç mostrave të ushqimit dhe sipërfaqeve të punës në kuzhinën e shkollës, inspektorët morën edhe mostra të ujit në shkollë, si dhe kontrolluan stafin e punësuar.
Disa prindër dhe familjarë të nxënësve thanë për mediat se disa nga fëmijët që shfaqën shqetësime nuk kishin konsumuar ushqim nga kuzhina e shkollës, por simptomat u shfaqën pasi kishin pirë ujë në shkollë.
“Ujësjellësi dhe Kanalizimi” Shkup njoftoi se monitorimi i jashtëzakonshëm u krye pas një raportimi.
Sektori për kontroll sanitar mori katër mostra nga dy vendndodhje në shkollë – klasë dhe kuzhinë. Dy prej tyre ishin për analiza fiziko-kimike dhe dy për analiza mikrobiologjike.
Rezultatet e të gjitha mostrave treguan se uji është i sigurt për përdorim.
“Sipas rezultateve të marra, të gjitha mostrave fiziko-kimike dhe mikrobiologjike përshtaten me Rregulloren për kërkesat për sigurinë dhe cilësinë e ujit për pije (Gazeta Zyrtare e RMV Nr. 183/18), dhe konstatimi ynë është se uji në Shkollën Fillore ‘Dimo Haxhi Dimov’ në Komunën e Karposhit është sanitarisht i sigurt dhe mund të përdoret pa pengesa,” thuhet në njoftimin e “Ujësjellësit dhe Kanalizimit” të Shkupit.
Më herët, Agjencia për Ushqim dhe Veterinari njoftoi se pas rastit në “Dimo Hadxhi Dimov”, ekipet e saj inspektuese po kryejnë kontrolle të jashtëzakonshme në kuzhinat e nëntë shkollave fillore në Komunën e Karposhit.
Kontrollet po kryhen pasi të gjitha këto kuzhina administrohen nga i njëjti operator ushqimor, i cili është pronar edhe i magazinës qendrore, e cila ndodhet në Shkollën Fillore “Dimo Haxhi Dimov” dhe nga aty furnizohen me materiale të konsumit.
Drejtori i Klinikës për Sëmundjet e Fëmijëve, Rexhep Memedi, deklaroi se numri i nxënësve të mbajtur për trajtim në spital nga shkolla në Vllae është pesë, pasi mbrëmë u pranuan edhe tre fëmijë të tjerë.
Sipas doktor Memedit, fëmijët kanë pasur një pamje klinike të ngjashme dhe simptoma të dyshimta për toksinë alimentare (helmim nga ushqimi) – me dhimbje barku, të vjella, diarre dhe temperaturë të ngritur. Ai konfirmoi se të gjithë fëmijët kanë marrë trajtim të duhur mjekësor dhe kujdesin e nevojshëm, dhe se gjendja e tyre shëndetësore është përmirësuar ndjeshëm, duke qenë stabilë.
Pretendime se në konviktin “Zdravko Cvetkovski nxënësve u janë shërbyer vakte në të cilat janë gjetur insekte
Ndryshe sot, Agjencia për Ushqim dhe Veterinari (AUV), pas pretendimeve se nxënësve u janë shërbyer vakte në të cilat janë gjetur insekte, përkatësisht buburrecë kanë njoftuar se gjendja higjieno-sanitare në kuzhinën e konviktit të shkollës së mesme “Zdravko Cvetkovski” në Shkup është e mirë, dhe kontrolli inspektues nuk ka konstatuar parregullsi.
Kontrolli inspektues i AUV-së është kryer mbi bazën e një iniciative të paraqitur nga një qytetar, i cili ka raportuar se në objektin e konviktit dhe në kuzhinë janë vërejtur insekte.
“Gjatë kontrollit të fundit inspektues, i kryer më 19 nëntor të këtij viti mbi bazën e iniciativës së qytetarit për mbikëqyrje të jashtëzakonshme, nuk janë konstatuar parregullsi. Gjendja higjieno-sanitare në kuzhinën e konviktit është e mirë dhe nuk janë gjetur insekte në objekt, siç ishte raportuar në iniciativë”, thuhet në njoftimin e AUV-së.
Nga kontrolli është konstatuar gjithashtu se të punësuarit kanë librezat sanitare të rregullta dhe se janë zbatuar masat për deratizim, dezinsektim dhe dezinfektim.
“Operatori ushqimor mban evidenca të rregullta për gjurmueshmërinë e ushqimit, ruan si duhet porcionet kontrolluese dhe në mënyrë të pavarur kryen analiza laboratorike për testime mikrobiologjike të ushqimit, sipërfaqeve të punës dhe pajisjeve, me të cilat para shërbimeve inspektuese dëshmon sigurinë”, informon Agjencia.
Kujtojmë se të paktën 40 fëmijë nga klasa të ndryshme në shkollën fillore “Dimo Haxhi Dimov” në komunën e Karposhit janë helmuar nga ushqimi që konsumuan në shkollë. Sipas protokollit për rastet e dyshuara për helmim me ushqim, do të kryhet anketa epidemiologjike dhe do të merren mostra nga ushqimi, sipërfaqet e punës dhe pajisjet për analiza laboratorike.

