Të dhëna shqetësuese për duhanpirjen tek të rinjtë në Maqedoninë e Veriut. 40% e të rinjve deri në 18 vjeç janë duhanpirës ndërsa shumica e nisin këtë ves që në moshën 13 vjeçare. Kështu tregon hulumtimi i fundit i “Analytica”, të cilët kërkojnë masa më të rrepta!

“Të rinjve në 18 vjeç, analizat na tregojnë se nuk u ndalohet blerja, pra duhet më shumë të respektohet rregullativa ligjore. Më tej, nëse duam ta shohim aspektin fiskal  është mirë që të rriten çmimet e këtyre prodhimeve të reja që më shumë i përdorin të rinjtë këto kohë, respektivisht sipas analizave tona ende kanë çmime të ulëta, pra ka hapësirë për rritje të akcizës, që do ta rriste çmimin dhe do ti bënin më pak të qasshme për të rinjtë”, tha Tamara Mioviq Spasova, Think Tank “Analytica”.

Nuk është fjala vetëm për duhanin klasik, por edhe për metodat e reja të duhanpirjes, siç janë cigaret elektronike, që po ashtu u tha se janë të dëmshme dhe të cilat duhet të përfshihen në ligjin për mbrojtje nga duhanpirja. Nga “Analitica” kërkojë që përmes edukimit të ndikohet te të rinjtë që duhani është i dëmshëm në çfarëdolloj forme! Po çfarë bëjnë shkollat, respektivisht Ministria e Arsimit për të edukuar rininë dhe parandaluar pirjen e duhanit?

“Në shkollimin fillor dhe të mesëm në lëndë të ndryshme ka tema për edukim shëndetësor dhe ja një e re, në klasën e shtatë këtë vit është futur lëndë me zgjedhje “Mësoj për shëndetin tim”. Diçka tjetër q ka bërë kjo qeveri është se në zgjidhjet e reja ligjore që i sollëm për shkollimin fillor dhe të mesëm i obliguam shkollat të zbatojnë programe kundër diskriminimit, kundër dhunës, kundër delikteve te adoleshentët, po patjetër edhe kundër abuzimit me substanca siç është edhe duhani, alkooli dhe droga”, shtoi Vesna Janevska, ministre e Arsimit dhe Shkencës .

Pirja e duhanit në Maqedoninë e Veriut është shumë e lartë, duke e renditur popullsinë mes vendeve me përqindjen më të madhe të duhanpirësve aktivë në botë. Sipas Institutit për Shëndet Publik, 45.4% e qytetarëve janë duhanpirës, ndërsa vetëm 5% kanë arritur të heqin dorë me sukses vitet e fundit. Pikërisht për këtë, nga punëtoria e sotme u bë thirrje që të jepen shembuj pozitivë, që të rinjtë ta kuptojnë se sa i keq është ky ves, dhe të mos e nisin duhanin. /TV21