Sipas të dhënave të publikuara nga Enti Shtetëror për Statistikë, 33.45 për qind e nxënësve në shkollat fillore të Qytetit të Shkupit ndjekin mësimin në gjuhën shqipe.
Të dhënat i ka publikuar Faruk Nevzati, duke theksuar se në vitin shkollor 2024/2025, nga gjithsej 57.925 nxënës në shkollat fillore të Shkupit, 19.375 prej tyre kanë zhvilluar procesin edukativo arsimor në gjuhën shqipe,shkruan 3shi.net
Nevzati vëren se kjo përqindje është dukshëm më e lartë krahasuar me përfaqësimin e shqiptarëve në numrin e përgjithshëm të popullsisë së Qytetit të Shkupit. Sipas Regjistrimit të vitit 2021, nga 560.998 banorë, 136.478 ose 24.33 për qind janë deklaruar me përkatësi etnike shqiptare.
Sipas tij, diferenca prej rreth 9 për qind mes përqindjes së shqiptarëve në popullsinë e përgjithshme dhe përqindjes së nxënësve shqiptarë në arsimin fillor dëshmon për një rritje të ndjeshme të pjesëmarrjes së gjeneratave të reja shqiptare në Qytetin e Shkupit.
“Kjo tregon se, për dallim nga etnitë tjera që kanë rënie të dukshme të numrit të nxënësve në krahasim me numrin e përgjithshëm të popullatës së tyre, përqindja e filloristëve shqiptarë në nivel të Qytetit të Shkupit është gati 10 për qind më e lartë se përqindja e shqiptarëve në Qytetin e Shkupit”, thekson Nevzati.

