27 mësimdhënës të rinj me kontratë të përhershme – Kasami: Respekti për mësuesin është detyrim, jo shpërblim

1 Min. Leximi

Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, ka ndarë sot 27 vendime të reja pune për mësimdhënësit e shkollave fillore dhe të mesme të qytetit, të cilët tani e tutje do të punojnë me kontratë të përhershme. Ceremonia u mbajt në sallën e Këshillit Komunal, ku Kasami theksoi rolin e pazëvendësueshëm të mësuesit në shoqëri.

“Mësuesit nuk japin vetëm mësim, ata ofrojnë durim, dinjitet dhe dritë në kohë të errëta. Sot ndamë vendime pune për ata që u mësojnë fëmijëve tanë si të ecin me mendje, jo vetëm me këmbë,” u shpreh kryetari Kasami.

- Advertisement -

Ai theksoi gjithashtu se respekti për mësuesin nuk duhet parë si një shpërblim, por si një obligim moral dhe institucional.

Vendimet e sotme vijnë si pjesë e angazhimit të Komunës për stabilitetin dhe motivimin e stafit arsimor, duke mundësuar kushte më të sigurta pune për ata që luajnë një rol kyç në formimin e brezave të rinj.

Nga Komuna u bë e ditur se procesi i përhersimit të kontratave do të vazhdojë në përputhje me nevojat dhe kapacitetet e sistemit arsimor në Tetovë. (INA)

TOP Lajmet

ETIKETUAR:
Ndani këtë artikull