24 vjet nga firmosja e Marrëveshjes së Ohrit, pikat më nevralgjike akoma mbeten pa u zbatuar

5 Min. Leximi

Marrëveshja e Ohrit ndaloi konfliktin e vitit 2001 dhe përkufizoi sistemin politik për ndalimin e diskriminimit sistematik ndaj shqiptarëve dhe integrimin e tyre proporcional në institucionet shtetërore. Megjithatë, 24 vite më vonë, zbatimi i saj mbetet ende sfidë, së pari për shkak të manipulimit politik të sistemit, por edhe paaftësisë së BDI-së, parti e dalë nga lufta, për të miratuar zgjidhje të plota ligjore ndër vite. Ka institucione ose pozita të larta shtetërore të cilat nuk janë shkelur ende nga këmba e shqiptarëve, pavarësisht se janë taksapagues dhe të lindur me të drejtë natyrore në këtë vend. Sa u përket akteve dhe mekanizmave, disa prej tyre janë vënë në sprovë nga Gjykata Kushtetuese. Balancuesi u shfuqizua në vitin 2024, kur Kushtetuesja votoi me shumicë të thjeshtë, pavarësisht kundërshtimit të 2 gjykatësve shqiptarë dhe 1 turku. Instrumenti që duhej të balanconte punësimet etnike në administratë, ra në ujë. Edhe vetë ministrat e BDI-së kishin firmosur dhe pranuar që ky instrument keqpërdorej në procesin e punësimit nëpërmjet deklarimit të rrejshëm të përkatësisë etnike nga qytetarët. Koalicioni VLEN u angazhua për ta rikthyer balancën e punësimeve jo më me mekanizëm por me një ligj të veçantë për përfaqësimin e drejtë dhe adekuat, kësaj radhe duke pasur kujdes që Gjykata Kushtetuese të mos e rrëzojë atë sërish. Megjithatë, ligji është ende në Komisionin e Venecias për mendime, ndërkohë që si pasojë e këtij vakumi juridiko-kushtetues, punësimet në administratë kanë thelluar jo vetëm diferencën në numra, por edhe perceptimin në opinion se përfaqësimi i shqiptarëve, ashtu i papërmbushur, po venitet më shumë. BDI-ja, në mungesë të zgjidhjeve të plota ligjore, dhe e vetëdijshme për kapacitetet e saj, synonte t’i arnonte zgjidhjet ligjore, sikurse ndodhi me ligjin për përdorimin e gjuhëve. E vetëdijshme për shfuqizimin e mundshëm me shumicë të thjeshtë, për të arnuar veten dhe përmes influencës politike në kohën kur BDI-ja qeveriste me LSDM-në, Gjykata Kushtetuese në vitin 2022/2023 miratoi konkluzion që për çdo procedurë lidhur me Ligjin e Gjuhëve duhet të vendoset me pjesëmarrje unanime të të gjithë anëtarëve të gjykatës. Ligji për gjuhët tani është pezull, pasi gjykatëses referuese të lëndës iu ndërpre mandati për shkak të parregullsive në zgjedhjen e saj. Megjithatë, Kushtetuesja ka formuar veçse lëndë, dhe në çdo moment, pritet të vendoset për të.

Kaq për garancinë, kapacitetet dhe investimin politik, të cilat BDI-ja i kishte matur dhe prerë jo si duhet. Realisht Marrëveshja e Ohrit synohej të përfundonte së zbatuari në vitin 2004, por 24 vite më vonë, statusi i luftëtarëve të atëhershëm nuk është rregulluar ende, as edhe socializimi i plotë i tyre, pavarësisht se për ish-branitellat vetë BDI-ja kishte miratuar ligj dhe madje ndër vite e kishte ndryshuar disa herë atë duke miratuar mjete dhe benificione shtesë për ta.

- Advertisement -

Pikat që morën më shumë kohë ishin pikërisht përfaqësimi i shqiptarëve në institucionet më të larta shtetërore – BDI-ja, pa një plan konkret kishte ndërtuar skemë paralele të punësimit në administratë, që në fakt rrinte në shtëpi dhe paguhej nga buxheti i shtetit. Pikë tjetër ishte zyrtarizimi i plotë i gjuhës shqipe, që pavarësisht ligjit të dështuar në vitin 2008, u rikthye në jetë në vitin 2018, i refuzuar për dekret nga presidenti dhe me mbi 45 iniciativa ankimuese në Kushtetuese. Barazia buxhetore apo shpërndarja e mjeteve edhe në rajonet shqiptare është një tabu më vete, ndërkohë që pika tjetër, ajo më nevralgjikja që lidhet me aneksin C, mirëbesimin, mund të zgjojë amnistinë e vendosur në gjumë që prej vitit 2011 me Ligjin për Amistinë, i cili gjithashtu u vu nën kërcënim para fushatës presidenciale edhe nga presidentja Siljanovska, që sipas saj, krimet e luftës nuk vjetërsohen asnjëherë. /Alsat.mk

- Advertisement -

TOP Lajmet

ETIKETUAR:
Ndani këtë artikull